KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » China Everbright Limited pronare e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”
China Everbright Limited pronare e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza"

China Everbright Limited pronare e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”

China Everbright Limited, një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, ka marrë në zotërim 100 përqind të kapitalit aksionar të Tirana International Airport (TIA). Njoftimi është dhënë për mediat nga Rolf Castro-Vasquez, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s. “Me kënaqësi njoftojmë një epokë ndryshimi me China Everbright Limited,” u shpreh ai. “Ortakët tashmë në ikje, AviAlliance, DEG dhe AAEF, si edhe të gjithë punonjësit kanë punuar për zhvillimin e aeroportit dhe me krenari i kanë shërbyer pasagjerëve të tij duke ofruar standarde bashkëkohore. Shpresojmë për zhvillime të mëtejshme me ortakun e ri China Everbright Limited, duke ofruar atë për të cilën kanë nevojë dhe dëshirojnë udhëtarët tanë,” ka shtuar zoti Rolf Castro-Vasquez.
Lajmi u konfirmua edhe nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i CEL, Chen Shuang. “Me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe stafin menaxherial të TIA-s, CEL ka kënaqësinë të mbyllë procesin e blerjes së Tirana International Airport. Blerja përbën një metodë proaktive të koorporatës për të identifikuar mundësi të mira investimi në infrastrukturë e cila përputhet me Nismën e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë citohet të ketë thënë zoti Shuang. Sipas tij ky hap i hedhur nga CEL “shënon gjithashtu lëvizjen e parë të Fondit të Infrastrukturës China Everbright, i cili është në proces themelimi. Me mbështetjen dhe burimet e CEL, TIA mund të zhvillojë më tej facilitetet dhe pajisjet e saj, për të bërë dallim të shkëlqyer në çdo aspekt. Gjithashtu, me lidhjet e shumta të CEL në Kinë, ne besojmë se tregtia dhe turizmi dhe ndërmjet dy vendeve do të promovohet më tej. Për këtë arsye kjo blerje ka një domethënie dhe vlerë të veçantë” tha ai.
CEL, themeluar në 1997, është një degë ndërkombëtare e investimeve të China Everbright Group, një kompani shërbimesh të ndryshme financiare. CEL menaxhon 33 fonde private ekuitetesh dhe zotëron më shumë se 8.7 miliardë dollarë në asete në administrim. CEL ka përvojë të gjerë në industrinë e aviacionit.