KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » 1 gusht, rinis aksioni i kuponit tatimor
1 gusht, rinis aksioni i kuponit tatimor

1 gusht, rinis aksioni i kuponit tatimor

Që nga dita e sotme, 1 gusht, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore, kanë paralajmëruar rinisjen e fushatës edukuese dhe ndërgjegjësuese me sipërmarrjen dhe qytetarët për kuponin tatimor. Sipas Ministrisë së Financave, fushata do të shtrihet në të gjithë vendin, por fokusi kryesor do të jetë në zonat turistike për shkak të përqëndrimit të madh të aktivitetit të biznesit dhe pushuesve në këtë sezon. “Nuk është objektivi ynë të vendosim gjoba, objektivi jonë është të ndihmojmë tatimpaguesit të zbatojnë detyrimin ligjor.Gjoba është e fundit”, tha me këtë rast ministri i financave Arben Ahmetaj.
Kjo është fushata e dytë që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të ndërgjegjësuar si shitësit ashtu dhe blerësit për kuponin tatimor. Një vit më parë kryeministri Edi Rama në ditën e parë të nisjes së operacionit të paralajmëruar në të gjithë vendin tha: “Jeni në llogore dhe nuk ka nevojë të shkrepni armën e nacionalizimit, por merrni kuponin tatimor dhe mos paguani pa e marrë kuponin tatimor”. Zoti Rama shtoi se ky është ” Një operacion në mbrojtje të konsumatorit dhe në krah të sipërmarrësve që paguajnë taksat dhe kundër zinxhirit të hajdutërisë që shkencërisht quhet informalitet, por shqip quhet hajdutëri”.
Por një vit më pas rezultatet nuk mund të thuhet se kanë qenë ato të pritshmet. Zyrtarë të lartë të minisrisë së financave kanë deklaruar numri i bizneseve që nuk i përdorin kasat është akoma i lartë, çka të bën të mendosh se evazioni fiskal vazhdon të mbetet shqetësim.