KRYEFAQJA » LAJME » 10 gjyqtarë propozohen për shkarkim
Ligji i dekriminalizimit, disa gjyqtarët kanë ndërruar gjeneralitetet

10 gjyqtarë propozohen për shkarkim

Gjyqësori shqiptar duket se është përpara një furtune. Ministria e Drejtësisë i ka propozuar KLD shkarkimin nga detyra 10 gjyqtarëve të trupës gjyqësore në gjykata të ndryshme të vendit. Sipas ministrisë gjyqtarët e propozuar për shkarkim kanë refuzuar deklarimin, nuk kanë deklaruar apo kanë fshehur pasurinë. Por disa prej tyre kanë kryer shkelje shumë të rënda, kanë kryer akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, apo kanë kryer shkelje të pajustifikuar dhe të përsëritur të dispozitave urdhëruese procedurale, kur këto kanë pas sjellë ose mund të sillnin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë. Tashmë do të jetë KLD që do të vendosi për fatin e gjyqtarëve. Nisur nga disa raste të mëparshme kur është përfshirë edhe politika, pritet të ketë debate. Por mbledhja e KLD ngjall interes, pasi shihet në kuadrin e luftës kundër korrupsionit të paralajmëruar nga maxhoranca e majtë aktualisht në pushtet. Gjykatat shqiptare, jo vetëm nga opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar, shihen si segmentet më të korruptuara të drejtësisë shqiptare, duke sjellë një korrupsion dramatik në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ndërsa pranojnë situatën, vetë gjykatësit bëjnë fajtore politikën shqiptare për ndërhyrjet në vendimet e gjykatave.