KRYEFAQJA » LAJME » 11 biznese, gati t’i japin grave shanse të barabarta

11 biznese, gati t’i japin grave shanse të barabarta

11 kompani private në vend u angazhuan vullnetarisht për të integruar parimet globale të fuqizimit të grave në praktikat e tyre të punës. Ata nënshkruan me Bashkinë e Tiranës një deklaratë ku zyrtarizojnë mbështetjen e tyre për të çuar përpara barazinë mes grave e burrave, si përsa i përket mundësive në pozicione drejtuese, edhe mundësinë për edukim e trajnim. Kryebashkiaku Erion Veliaj përmendi nismat e marra nga Bashkia siç ishte ajo e financimit të grave e vajzave që nisnin një biznes.

Ai tha se “është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë ta masim, duke filluar nga këto 11 kompani në sa prej këtyre parimeve kemi bërë progres, si matet me vlerë absolute, sa zonja janë në bord, sa zonja u trajnuan, sa zonja u kredituan le të themi në portofolin tuaj, sa zonja morën një mikrokredi. Unë them që kjo është mënyra më e mirë se si ne të masim progresin” .

Kjo nismë e cila ndërmerret për herë të parë në Shqipëri u mbështet nga UN women dhe financua nga agjensia ndërkombëtare suedeze për zhvillim dhe bashkëpunim.