KRYEFAQJA » LAJME » 17 katëshi, gjykata nuk ndryshon trupën gjykuese
17 katëshi, gjykata nuk ndryshon trupën gjykuese

17 katëshi, gjykata nuk ndryshon trupën gjykuese

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të mërkurën të rrëzojë kërkesën e Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e trupës gjyqësore që po gjykon çështjen e ndërtimit të një pallatit 17 katësh tek diga e Liqenit  Artificial. Më parë kreu i bashkisë Erion Velia kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarëve Arjan Qafa, Enkelejda Softa, Alkelina Gazidede, duke thënë se ata kanë lidhje familjare me aksionerët që po ndërtonin pallatit tek diga. Gjykatësja Gazidede kishte dhënë më parë dorëheqjen.
Pritet që të enjten, më 19 maj çështja të shqyrtohet në themel rreth kërkesës për shfuqizimin e lejes së ndërtimit të pallatit 17 katësh. Leja është dhënë në kohën kur kreu i bashkisë ishte zoti Lulzim Basha, aktualisht kreu i opozitës.
Kreu i Bashkisë Erion Velaj, si në fushatë elektorale një vit më parë ashtu edhe tani, ka këmbëngulur, madje deri në ekstrem se nuk do të lejojë ndërtimin e këtij pallati. “Për këdo që ndoshta nuk është i qartë nga ajo që kam thënë deri tani le ta them qartë, tani e përherë: Ndërtime tek diga nuk do të ketë. Pikë! Pikë! Dhe nuk më intereson fare, nuk më intereson fare se çfarë mund të gatuajë një gjykatë, sesa mund të tundohen gjyqtarë, sesa para derdhen për këto gjyqe, nuk më intereson fare! Më intereson populli i Tiranës, nëse populli i Tiranës nuk e do nuk do të ketë ndërtim tek diga e liqenit!” tha zoti Veliaj një ditë më parë. Kjo çështje është kthyer edhe në një përplasje mes Bashkisë së Tiranës nga njëra anë dhe presidencës e opozitës nga ana tjetër.