KRYEFAQJA » LAJME » 17 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë

17 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë

Si sot 17 vjet më parë, Aleanca e Traktatit të Atlatikut të Veriut filloi fushatën e saj të bombardimeve kundër serbisë në mbrojtje të Kosovës, duke shënuar kështu edhe fillimin e fundit të luftës në Kosovë. Bombardimet filluan rreth orës 20:00 të 24 marsit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana. Fushata ushtarake e aleancës më të madhe politiko-ushtarake të botës perëndimore, mundësoi dëbimin e forcave serbe dhe hyrjen e ndërkombëtarëve në Kosovë, kthimin në trojet e tyre të rreth 1 milionë refugjatëve shqiptare, të dëbuar me dhunë nga serbët, dhe vendosjen në Kosovë të një administratë ndërkombëtare, e cila menaxhoi vendin deri në shpalljen e pavarësisë së tij. Pas 78 ditësh bombardime, presidenti i atëhershëm i Serbisë Sllobodan Milloshevic, u detyrua të pranonte marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës, e nënshkruar në 9 qershor, e cila parashikonte tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova. Në 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it. Presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati deklaruar se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.