KRYEFAQJA » LAJME » Nën-19-vjeçarët kundër Irlandës, sot direkt në TVSH
u19nen-19-vjecaret

Nën-19-vjeçarët kundër Irlandës, sot direkt në TVSH

Ndërkohë që në mbrëmje Kombëtarja e të rriturve përballet në Lihtenshtejn me përfaqësuesen vendase, një tjetër Kombëtare, ajo e Nën-19-vjeçarëve do të luajë ndeshje e parë në kuadër të grupit të saj eliminator të kësaj grupmoshe. Siç dihet, ndeshjet do të luhen në Tiranë dhe Durrës, përkatësisht në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe “Niko Dovana”. Skuadrat që bëjnë pjesë në grupin eliminator janë Gjermania, Republika e Irlandës, Gjibraltari dhe Shqipëria. Ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, që drejtohet nga trajnerët Arjan Bellai dhe Sulejman Demollari, është grumbulluar prej ditësh në Durrës, ku ka zhvilluar përgatitjet për tre ndeshjet që do të luhen më datë 6, 8 dhe 11 tetor. Ekipi është akomoduar prej afro një jave në Durrës, aty ku kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore. Në takimin e parë, që zhvillohet sot dhe që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar duke nisur nga ora 12:00, Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve përballet me bashkëmoshatarët e Irlandës. Takimi i dytë është ai me 8 tetorit me Gjermaninë, ndërsa i fundit ai i 11 tetorit me Gjibraltarin.