KRYEFAQJA » LAJME » 28 të vdekur nga shpërthimi në Ankara
28 të vdekur nga shpërthimi në Ankara

28 të vdekur nga shpërthimi në Ankara

Të paktën 28 persona kanë humbur jetën dhe 61 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi të mërkurën në mbrëmje në Ankara të Turqisë. Shpërthimi ndodhi pranë një makine ushtarake e cila po kalonte në afërsi të parlamentit dhe zyrave qendrore të ushtrisë turke. Sipas dëshmitarëve shpërthimi është dëgjuar thuajse në të gjithë kryeqytetin turk, teksa flakët dhe tymi mbuluan të gjithë zonën. Sipas autoriteteve lokale, ka qenë një automjet i mbushur me eksploziv që ka shpërthyer në momentin kur një autokolonë ushtarake po kalonte në rrugën afër selisë së parlamentit. Zëvendëskryeministri, Bekir Bozdag, e quajti “akt terrorist” ngjarjen, kurse kryeministri Ahmet Davutoglu anuloi një udhetim të planifikuar për në Bruksel.
Kohët e fundit numri i sulmeve masive është rritur ndjeshëm sëbashku me shqetësimin se vendi mund të jetë kthyer në shënjestër të grupeve terroriste. Tetorin e kaluar një marshim paqësor në Ankara përfundoi me 99 të vdekur, teksa 10 të tjerë, prej të cilëve 8 turistë gjermane, humbën jetën në Stamboll në afërsi të xhamisë blu. Që nga momenti kur u përfshi në konfliktin sirian, Turqia është përballur me kërcënime nga grupe të ndryshme si Shteti Islamik apo nga militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.