KRYEFAQJA » LAJME » Bota » 4 të vrarë në një qendër tregtare në Tel Aviv

4 të vrarë në një qendër tregtare në Tel Aviv

Dy palestinezë të armatosur hapën zjarr mbi blerësit dhe darkuesit në një qendër tregtare afër ministrisë izraelite të Mbrojtjes në Tel Aviv, duke vrarë katër veta dhe duke plagosur të paktën pesë të tjerë. Policia izraelite e cilësoi incidentin si sulm terrorist. Ata thanë se situata ishte nën kontroll ndërsa kontrolluan zonën për të parë nëse ka ndonjë bombë të vendosur. Zëdhënësi i policisë, Mickey Rosenfeld, tha se dy të armatosurit janë arrestuar, njëri prej tyre pasi u qëllua dhe u plagos. Ai tha se sulmuesit kishin përdorur armë automatike, ndërsa u identifikuan si dy kushërinj nga qyteti i Hebronit në Bregun Perëndimor. Kryeministri Benjamin Netanyahu, që sapo është kthyer në Izrael nga një vizitë në Moskë, tha pas një takimi me strukturat e sigurisë, se ky ishte një “krim i egër.” “Ne do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për të goditur sulmuesit dhe për të mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje”, tha ai. Departamenti amerikan i shtetit, e dënoi me “fjalët më të fuqishme” sulmin e tmerrshëm terrorist kundër civilëve të pafajshëm. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e dënoi po ashtu sulmin, duke nënvizuar në një deklaratë se “është i tronditur nga fakti që udhëheqësit e Hamasit zgjodhën të mirëpresin sulmin dhe disa zgjodhën që të kremtojnë për të”. Hamasi nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin, por një zyrtar u Hamasit, Mushir al-Masri, e cilësoi atë si një “operacion heroik”, ndërsa grupi lëshoi më pas një deklaratë në të cilën u tërheq vërejtjen “sionistëve” për më shumë “befasi” gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Sulmi i së mërkurës u krye në qendrën tregtare Sarona, në qendër të Tel Avivit, një zonë shumë e frekuentuar.