KRYEFAQJA » LAJME » 6 nëntor, LSI shkon në zgjedhje
6 nëntor, LSI shkon në zgjedhje

6 nëntor, LSI shkon në zgjedhje

Lëvizja Socialiste për Integrim, partia e dytë më e madhe e koalicionit të majtë në pushtet, do të mbajë më 6 nëntor zgjedhjet. Në një dalje për mediat sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama tha se gjithçka është gati. “Në të gjithë Shqipërinë janë hapur 225 qendra votimi për të bërë të mundur që të gjithë anëtarët e LSI-së të shkojnë për të votuar” tha zoti Rama.

Në këto votime LSI do të zgjedhi kryetarin si dhe rreth 2500 delegatët e Konventës Kombëtare Zgjedhore. Kandidatë për kreun e ri të kësaj partie janë themeluesi dhe kreu aktual Ilir Meta, deputeti Përparim Spahiu dhe profesor Shezai Rrokaj.

Në fushatën zgjedhore zoti Ilir Meta është shprehur se “Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të ketë vetëm një ideologji: interesin e publikut të gjerë dhe duhet të ketë vetëm një aleat për këtë çështje që është transparenca me qytetarin”.

Profesor Shezai Rrokaj nga ana e tij ka kujtuar se LSI ka “… qenë forca politike që për stabilitetin e vendit, kemi pranuar aleanca edhe kundër natyrës së forcës sonë politike, ….Por, këto aleanca duhet të jenë të kujdesshme dhe duhet të bëhen mbi baza programore, të përputhshmërisë së programeve politike, të cilat do të bëhen pastaj pjesë të mandatit qeverisës”.

Kandidati tjetër Përparim Spahiu ka këmbëngulur se “…duhet të vihemi në shërbim të zgjidhjeve të mëdha, që vendi kërkon nga ne,…Ka ardhur koha që Lëvizja Socialiste për Integrim, që është e vetmja forcë politike që rritet çdo ditë, të ketë një rol parësor dhe një rol udhëheqës në politikën shqiptare dhe në shoqërinë shqiptare”.

Zgjedhjet e 6 nëntorit pritet të rikonfimojnë edhe anëtarësinë e LSI. Sipas sekretarit të përgjithshëm Luan Rama, është mbi 50 mijë numri i atyre që kanë aplikuar dhe kanë marrë kartën e re të anëtarësisë, që janë ftuar në votim.