KRYEFAQJA » LAJME » Skema mashtruese “Kapurani”, prokuroria kërkon dënimin e organizatorëve

Skema mashtruese “Kapurani”, prokuroria kërkon dënimin e organizatorëve

Prokuroria e Korçës kërkon dënimin total me 24.6 vjet burgim për 5 prej organizatorëve kryesorë të skemës mashtruese “Kapurani”, e cila i ka shkaktuar shtetit një dëm në vlerën e mbi 1.5 milionë dollarëve. Për këtë çështje vijojnë të jenë në procese gjykimi të ndara edhe 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve inspektorë tatimorë.

Këta të fundit kanë lejuar veprimet e paligjshme të kryera nga kompania e materialeve inerte “Kapurani Vjara”, duke e ndihmuar këtë të fundit që t’u shmanget detyrimeve tatimore, si edhe të realizojë një skemë mashtrimi, me qëllim fshehjen e të ardhurave.

Në qendër të kësaj skeme mashtruese qëndron i pandehuri Foto Kapurani, administrator i disa kompanive në fushën e betonit dhe hotelerisë. Sipas hetimeve ai së bashku me miq dhe bashkëpunëtorë të tij, kanë krijuar disa kompani, në të cilat kryenin shit-blerje fiktive betoni, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Rezulton se Kapurani ka shitur në mënyrë informale rreth 45 mijë ton beton, si edhe mallra të tjerë, duke iu shmangur dukshëm detyrimeve fiskale” bën të ditur prokuroria.