KRYEFAQJA » LAJME » 8 Dhjetori, ndërkombëtarët thirrje për realizimin e reformave
8 Dhjetori, ndërkombëtarët thirrje për realizimin e reformave

8 Dhjetori, ndërkombëtarët thirrje për realizimin e reformave

25 vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri, komuniteti ndërkombëtar nxit forcat politike që të realizojnë reformat si një kusht për integrimin në Europë. Këto u përcollën në mesazhet që u dhanë në Konferencën Kombëtare në Ditën e Rinisë që u organizua nga presidenti Bujar Nishani.
Kancelarja gjermane Angela Merkel përmes një videomesazhi tha se rruga drejt Bashkimit Europian nuk është e lehtë.
“Gjermania e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe tani ju shoqërojmë me këshilla dhe vepra konkrete në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sigurisht që kjo nuk është rrugë e lehtë. Por ju tashmë keni kapërcyer etapa të rëndësishme. Do të gëzohesha shumë, nëse ju këtë e shikoni si nxitje për reforma të mëtejshme. Është e rëndësishme, para së gjithash, që të përmirësohen perspektivat e njerëzve të rinj në vendin tuaj, sepse mbi ata bazohet e ardhmja e Shqipërisë” tha në mesazhin e saj zonja Merkel.
Në emër të Presidentit amerikan Barack Obama, ishte sekretari i shtetit John Kerry i cili me anë të një videomesazhi përshëndeti Shqipërinë. “Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë Euroatlantik. Duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkuruese të tregut të lirë”.
Ndërsa mesazhin e Atit të Shenjtë Papa Françeskut e përcolli Nunci Apostolik. “Kam kujtime ende të gjalla nga vizita ime në Shqipëri. Lutem që pjestarët e bashkësive fetare të bashkëpunojnë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë. Përcjell bekimet e mia mbi popullin shqiptar” shprehej Ati i Shenjtë.
Në konferencën “Shqipëria 25 vite nga rënia e komunizmit” ishin edhe kryeministrit Edi Rama, ish kryeministri Sali Berisha, të cilët përcollën vlerësimet e tyre për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë.