KRYEFAQJA » LAJME » 8 Dhjetori 1990, PD e PS shkëmbejnë deklarata
8 Dhjetori, PD e PS shkëmbejnë deklarata

8 Dhjetori 1990, PD e PS shkëmbejnë deklarata

Dy ditë nga përkujtimi i 8 dhjetorit, datë që në Shqipëri njihet si Dita e Rinisë, PD dhe PS kanë shkëmbyer deklarata të ashpra nga selitë e tyre.
PD e konsideron këtë ditë si një festë të saj, pasi 25 vjet më parë rinia studentore shqiptare nisi protestat kundër regjimit komunist, duke e detyruar udhëheqjen e atëhershme komuniste të pranonte pluralizimin politik. PD ka lajmëruar një protestë kundër keqeverisjes së socialistëve dhe aleatëve të tyre, për ta detyruar qeverinë të largohet. Lideri i saj Lulzim Basha tha: “8 dhjetori është ditë e historisë, është dhe dita për të bërë sërish histori. Është dita për largimin dhe shkarkim e qeverisë Rama-Meta. Kemi marrë vendimin të nisemi dhe mos të ndalemi, me rininë e të gjithë Shqipërisë bashkë me mijëra qytetarë nga anë e mbarë Shqipëria. Se asnjë grup shoqëror s’ka parë asnjë ditë të mirë. Të gjithë të zhgënjyer, të nëpërkëmbur dhe të vjedhur nga qeveria e zullumeve kombëtare”, deklaroi Basha. “Duhet krijuar një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha kreu i PD.

Por PS i ka ironizuar deklaratat e kreut të opozitës.  “Lulzim Basha mendon se duke trashur zërin do të fitojë pak më shumë mbështetje brenda radhëve të PD. Kjo është e vetmja arsye që pas humbjes së thellë në zgjedhje e 2013-ës dhe pas humbjes edhe më të thellë në zgjedhjet e 2015-ës, Basha kërkon revolucion. Kjo mazhorancë ka shumë për të bërë, vërtetë rritja ekonomike është dy herë më e lartë se kur qeveriste Partia Demokratike, por duhet edhe më shumë që shqiptarët të jetojnë edhe më mirë. Po luftojmë informalitetin, po vendosim rregull, po bëjmë shtet e po punojmë për reformën në drejtësi që për Shqipërinë të hapet një faqe e re”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza.
Megjithatë 8 dhjetori po pritet me interes nga të dy palët, si një test për politikat e tyre të deritanishme.