KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » A të pasurojnë platformat e investimeve online?

A të pasurojnë platformat e investimeve online?

Prej disa kohësh në Shqipëri ka filluar shfaqja e platformave të investimeve on line. Në thelb ato shfrytëzojnë dëshirën e popullatës për të shtuar paratë e kursyera. Por lajmet se të paktën një prej këtyre platformave ka falimentuar, rikthen në vemendje kujdesin që duhet të kenë ata që luajnë në këto skema. Alarmi u dha disa ditë më parë kur u zbulua se “Easy Invest”, një nga platformat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti. Por a duhet të ketë kontroll nga shteti në të tilla aksione dhe nga vjen besimi i qytetarëve në investime të tilla ? Analisti ekonomik Zef Preçi thotë  për TVSH se “norma e ulët e interesit në vënd dhe klima ende e papërshtatshme e të bërit biznes, ka bërë që qytetarët nga njëra anë të tërheqin paratë për nevoja konsumi dhe nga ana tjetër ata që kanë mundësi të akumulojnë apo të kursejnë, të shohin alternativa të tjera. Struktura shtetërore janë bashkëpërgjegjëse dhe jo bashkëvuajtëse. Janë bashkëpërgjegjëse për faktin se Enti i Përbashkët Rregullator dhe Banka e Shqipërisë, kanë detyrimin ligjor që të ndërgjegjësojnë publikun dhe mbi të gjitha të përmirësojnë kuadrin rregullator”.

Ndërkohë sipas Preçit edhe bankat e nivelit të dytë në vendin tonë kanë përgjegjësitë e tyre. “Bankat, si për fondin e investimeve brënda vendit, si për investimet online, banka merr ‘fee-n’ e vet dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për shkak se në portofolet e bankave janë grumbulluar shuma të mëdha asetesh. Ekziston rreziku që këto asete të kontaminuara të bankave të transferohen tek një numër i madh qytetarësh shqiptarë. Pra, kanë nevojë për një mbikqyrje shumë të kujdesshme”.
Vitet e fundit janë edhe 3 fonde investimi private që janë të licensuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes finaciare. Specialistët paralajmërojnë se skema të tilla janë me rrezik të lartë ekonomiko-financiar.