KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Abagraphy”, një vështrim retrospektiv në krijimtarinë grafike

“Abagraphy”, një vështrim retrospektiv në krijimtarinë grafike

Abagraphy” është ky titulli që përmbledh ekspozitën retrospektive me grafika të çelur nga artisti Abaz Hado në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në 140 punimet grafike të përzgjedhura nga kuratorja turke Beste Gursu, ekspozita e Hados ofron një rrugëtim të plotë të pasur në ekspresivitet dhe lëvizje edhe pse në to mbizotëron monokromatika. Në qendër të tablove qëndron figura dhe jeta e njeriut shqiptar. Ai preferon të realizojë kompozime shumëfigurëshe të cilat i organizon sipas një “kodi” të caktuar. Kështu në disa nga punimet e tij grafike vëmëndjen kryesore ai ja kushton figurave të planit parë, ku edhe sfondi mbetet pjesë e fuqishme e kompozimit, ndërsa në punime të tjera Hado preferon të evidentojë vetëm figurat kryesore. Hado është një artist shumëdimensional: Piktor, grafist, studjues dhe menazher arti. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e artistit Hado ndodhen në GKA, Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli.