KRYEFAQJA » LAJME » Absurdi le pa energji banorët në Vlorë

Absurdi le pa energji banorët në Vlorë

Vjedhja e një transformatori në Lagjen 24 maji në qytetin e Vlorës, ka lënë pa energji rreth 30 familje dhe disa biznese prej dy javësh. Banorët shprehen se kanë kërkuar ndihmën e operatorit të shpërndarjes pasi janë pagues të rregullt të energjisë elektrike, por ende energjia mungon. Ndërkohë drejtori i OSHEE në Vlorë Roland Saliu tha se transformatori nuk është në pronësi të OSHEE, por të ujësjellësit. Sipas tij nuk ka mundësi ligjore që të ndërhyhet për të zgjidhur këtë problem. Zoti Saliu thotë se detyrimi është të çohet energjia deri në pikën ku banorët janë të lidhur në këtë rast në kabina sa përket trasformatorit duhet biseduar me ujësjellësin. Mbetet e paqartë se si OSHEE ka lidhur kontrata me banorët, ndërkohë që ujësjellësi është pronar i transformatorit. Sipas ligjit ujësjellësi nuk ka të drejtë të jetë shpërndarës energjie për subjekte të tjerë. Disa banorë madje e quajnë situatën e krijuar absurde.