KRYEFAQJA » LAJME » Abuzuan me tenderat, arrestohet nëndrejtori i burgjeve dhe katër administratorë privatë
Qeveria: Gati amnistia 2016

Abuzuan me tenderat, arrestohet nëndrejtori i burgjeve dhe katër administratorë privatë

Një zyrtar i lartë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe administratorët e 4 kompanive private janë arrestuar nga policia. Ata akuzohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me tenderat e furnizimit me ushqime të burgjeve. Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se ka arritur të provojë me fakte se zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Iljaz Labi dhe administratorët e 4 kompanive private Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani dhe Nexhmi Balla, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, me qëllim marrjen në mënyre fiktive të prokurimit me objekt “Blerje bulmet dhe veze”. Tenderi i datës 31 maj ka patur një vlerë totale prej 22.6 milionë lekësh. Të katër personat e dyshuar kanë biseduar për të paguar në mënyrë solidare të paktën një shumë prej 2 milion lekë të rinj te zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me qëllim që ky i fundit t’u krijonte lehtësitë e nevojshme gjatë procedurës së prokurimit. Sipas prokurorisë në hetim janë edhe disa procedura të tjera prokurimi publik, të zhvilluara në periudhën janar-mars 2016, të përfituara po nga i njëjti grup personash.
Në një zhvillim të fundit Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të nëndrejtorit të përgjithshëm të burgjeve pas arrestimit. Sipas tij procedurat për largimin e tij nga shërbimi civil kanë nisur prej kohësh. “T’i provoje akuzat ndaj tij para drejtesise si qytetar i çliruar nga funksionet publike” citohet të ketë thënë me këtë rast ministri Manjani.