KRYEFAQJA » LAJME » Adriatiku rikthehet në Kategorinë e Parë
Adriatiku rikthehet në Kategorinë e Parë

Adriatiku rikthehet në Kategorinë e Parë

“Komisioni i Apelit të Liçencimit pasi u njoh me apelimin e KF Adriatik Mamurras, si dhe provat e e paraqitura nga ky klub për plotësimin e kriterit financiar të liçencimit, vendosi të liçencojë KF Adriatik Mamurras për pjesëmarrjen në kampionatin e Kategorisë së Parë të Federatës Shqiptare të Futbollit për sezonin 2016-2017”, ky është njoftimi i FSHF-së në faqen zyrtare të saj në internet.

Brenda shtatë ditëve FSHF ka përjashtuar për dy herë ekipin e Adriatikut nga Kategoria e Parë meqë skuadra e Mamurrasit nuk kishte përmbushur kriteret e licencimit. Por çuditë e FSHF-së në lidhje me Kategorinë e Parë nuk mbarojnë me kaq. Është pikërisht organi më i lartë i futbollit kombëtar, ai që pranon Adriatikun të rikthehet.

Të mërkurën gjathë hedhjes së shortit të Kategorisë së Parë, zyrtarët e FSHF-së njoftuan se Adriatiku ishte përjashtuar nga aktiviteti sepse nuk plotësonte kushtet dhe vendin e zuri Partizani B. Por Partizani u tërhoq të premten nga Kategoria e Parë pasi nuk e ndjente veten të përgatitur. FSHF të shtunën rishqyrtoi dosjen e Adriatikut dhe vendosi të mos e pranojë dhe e dërgoi në Apel.

Të hënën në mbrëmje ndodh mrekullia. Komisioni i Apelit të Liçencimit rikthen Adriatikun në Kategorinë e Parë.