KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Aeroporti i Frankfurtit evakuohet për arsye sigurie (Galeri)
Aeroporti i Frankfurtit evakuohet për arsye sigurie
EPA/BORIS ROESSLER

Aeroporti i Frankfurtit evakuohet për arsye sigurie (Galeri)

Aeroporti i Frankfurtit në Gjermani është evakuuar paraditen e së mërkurës për shkak të një alarmi për bombë, njoftuan mediat gjermane. Sipas tyre një pasagjer është pikasur me një pajisje shpërthyese, teksa përpiqej të kalonte kontrollet e sigurisë. Një pjesë e konsiderueshme e “Terminalit 1” në këtë aeroport është boshatisur nga udhëtarët, teksa operatori që shërben në të njoftoi se një pasagjer kishte kaluar nga ana e pistës pa përfunduar totalisht kontrollin e sigurisë.
“Policia federale ka boshatisur zonat “Piers A dhe A+”, ndërsa pasagjerët do t’u nënshtrohen sërish kontrolleve”, tha “Fraport” për “Reuters”. Një zëdhënëse e këtij operatori shtoi se shkelja e kontrolleve të sigurisë mund të sjellë si pasojë edhe shtyrje të disa fluturimeve nga ky terminal, që përdoret më së shumti nga linja ajrore “Lufthansa”.