KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Afera CEZ”, Gjykata e Lartë rrëzon Kontrollin e Lartë të Shtetit
"Afera CEZ", Gjykata e Lartë rrëzon Kontrollin e Lartë të Shtetit

“Afera CEZ”, Gjykata e Lartë rrëzon Kontrollin e Lartë të Shtetit

Në Shqipëri Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e formuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndaj ministrit të energjitikës Damian Gjiknuri dhe Avokates së Shtetit Alma Hicka lidhur me çështjen e shumëpërfolur CEZ. KLSH kërkoi shfuqizimin e vendimit të prokurorisë e cili më parë ka pushuar kallëzimin e këtij institucioni për dosjen CEZ ndaj zotit Gjiknuri dhe Hicka, të cilët akuzoheshin për një dëm prej 470 milion euro.
KLSH këmbënguli pranë Gjykatës së lartë se prokuroria nuk ka bërë hetime të thelluara në lidhje me këtë çështje, ndërsa nuk ka vlerësuar të gjitha provat dhe akuzat që ai kishte bërë në kallëzimin e tij.
Por nga ana e saj prokuroria tha se hetimi ka qenë i gjithanshëm dhe se nuk janë gjetur elemente për të proceduar për shpërdorim detyre ndaj dy të kallëzuarve nga KLSH.
Në fakt e cilësuar si “Afera e CEZ” ka qenë më shumë një çështje politike se financiare. Ajo nisi me ardhjen e socialistëve në pushtet të cilët zgjidhën mosmarrëveshjet mes kompanisë çeke CEZ, e cila kishte privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë, OSHE, dhe qeverisë shqiptare, të lindura në kohën kur në pushtet ishte PD. Kryeministri Rama tha se se kjo çështje u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme, por opozita e djathtë pretendon se ekonomisë së vendit i është kushtuar një dëm mbi 600 milionë euro.