KRYEFAQJA » LAJME » Ago: AAR ka qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit
Ago: AAR ka qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit

Ago: AAR ka qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit

Kanionet e Osumit në Skrapar kanë marrë një vëmëndje të veçantë gjatë ditëve të fundit dhe kësaj rradhe nuk bëhet fjalë vetëm për rafting, por për diçka më të madhe dhe gjithëpërfshirëse. “Albanian Adventure Resort” (AAR), është projekti më i ri, një partneritet publik privat i themeluar nga Federata Shqiptare e Rafting dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kjo qendër ka si qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit përmes aktiviteteve sportive në natyrë dhe arsimit profesional në fushën e turizmit aventurë dhe mikpritjes. AAR shtrihet në hapsirën e një ish reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur, dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Sipas Sekretares së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Rafting, Blerina Ago, “AAR”-ja do të ofrojë trajnimin dhe punësimin e guidave të licensuara në fushën e turizmit të aventurës dhe zhvillim të aktiviteteve dhe sporteve në natyrë me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Përsa i përket projektit Albania Adventure Resort, ne i kemi vendosur qëllimet dhe objektivat tona dhe po punojmë për të arritur objektivin e këtij viti (2016), që është përfundimi i godinës pritëse të vizitorëve dhe akomodimeve fillesare. AAR po implementohet në tre faza të shtrira në një periudhë 5 vjeçare kështu që presim vit pas viti të zbulojmë surprizat që do të sjellë kjo qendër”, tha Ago.

Projekti, i cili ka marrë tashmë një nisje të vrullshme me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe në muajt në vijim pritet të përfundojë ndërtimin e fazës së parë, synon të transformojë jetën e komunitetit përreth duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve të zonës.