KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ahmetaj: “50 për qind e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon”
Ahmetaj: "50 për qind e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon"

Ahmetaj: “50 për qind e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon”

Në vigjilje të dy vjetorit të ardhjes në pushtet, qeveria e koalicionit të majtë, ka vendosur të nisi një operacion të ashpër ndaj bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregëtar në shkelje flagrante të ligjit. Paralajmërimi është bërë nga Ministri i Zhvillimit, Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.  Ai e ka cilësuar si një betejë frontale kundër informalitetit në ekonomi. “Ka ardhur koha që, përsëri së bashku, t’i hyjmë një tjetër përpjekjeje për të realizuar një tjetër ndryshim historik në rrugën e mundimshme të ripërtëritjes së ekonomisë kombëtare e familjare në Shqipëri” tha zoti Ahmetaj. Ai i cilësoi si alarmante shifrat aktuale.  “Rreth 1/3 e bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare në territorin e vendit tonë ose nuk janë fare të regjistruar, ose nuk kanë fare kasa fiskale, ose kasat fiskale ekzistojnë si orendi pa vlerë që nuk përdoren; në shkelje të rëndë të drejtpërdrejtë të ligjit po se po, po edhe në vjedhje të hapur të qytetarit dhe konsumatorit. Ndërsa në total, mbi 50 për qind e bizneseve pothuajse nuk japin asnjë kupon, duke qenë haptazi në kundravajtje të plotë ligjore dhe padiskutim, në shkelje të plotë të çdo norme etike në raport me konsumatorët” dha hollësi ministri shqiptar i ekonomisë. Në emër të qeverisë shqiptare zoti Ahmetaj u bëri thirrje bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar në shkelje flagrante të ligjit, “të vrapojnë për t’u regjistruar përpara se të nisë operacioni rrënjësor i kësaj sëmundjeje të patolerueshme”. “Të vendosin kasën fiskale dhe ta vënë atë në shërbim të plotë të konsumatorit, përpara sesa operacioni që nis në shtator t’i vendosë ata përpara ligjit”  paralajmëroi ministri Ahmetaj.