KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ahmetaj: Rritja e pagave mirënjohje për ata që realizuan reformat!
Ahmetaj: Rritja e pagave mirënjohje për ata që realizuan reformat!

Ahmetaj: Rritja e pagave mirënjohje për ata që realizuan reformat!

Këshilli i Ministrave vendosi këtë të mërkurë rritjen mesatarisht me 10 % të pagave për punonjësit e administratës publike, disa institucioneve të pavarura, sistemit arsimor e shëndetësor si dhe atyre në varësi të Prefektit.

Në një deklaratë për mediat nga Kryeministria, ministri i Financave, Arben Ahmetaj teksa bëri të ditur miratimin e vendimit, tha se premtimi i qeverisë u bë realitet falë reformave të ndërmarra në 3 vite e gjysmë. “Rritja bazë e pagës së punonjësve të arsimit parauniversitar është 10 %, Paga bazë e mësuesit në shkollat e mesme rritet me 3 850 lekë dhe paga bruto shkon 68 150 lekë në muaj. Paga bazë në shkollat nëntëvjeçare rritet me 3 550 dhe paga bruto shkon 64 650 lekë në muaj. Paga e mësuesit në ciklin e ulët rritet 3 350 dhe paga bruto është 62 450 lekë në muaj”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas kreut të financave publike, nga ky vendim përfitojnë 31 370 punonjës të sistemit arsimor. Ahmetaj tha se rritja e pagave në arsim shoqërohet edhe me rritjen e pagave në sistemin universitar përkatësisht me 10-12 % . “Janë 3 500 pedagogë, të cilëve iu rritet paga pas një periudhe të gjatë”, deklaroi ministri.

Po ashtu ministri Ahmetaj informoi se pagat do të rriten edhe në sistemin shëndetësor. Sipas tij, nga ky vendim në sistemin shëndetësor përfitojnë 18 mijë nëpunës. Fondi vjetor në total llogaritet 1.3 miliard lekë. Në të njëjtën kohë, sipas ministrit, rriten me 10 % pagat për të gjitha gradat diplomatike, ndërsa përfitojnë rritje prej 7 % pagat e administratës për njësitë vendore.

“Vendimi i sotëm është shprehje e drejtpërdrejt e një realiteti të ri, të patjetërsueshëm, në të cilin ka hyrë vendi, si rezultat i reformave të vështira, por të suksesshme të ndërmarra në 3.5 vite. Si rezultat po ashtu i konsolidimit të rritjes ekonomike, reflektimit të zhvillimit ekonomik, e si shprehje e mirënjohjes sonë si qeveri për kontributin për jetësimin e reformave”, deklaroi Ahmetaj. (Sipas ATSH)