KRYEFAQJA » LAJME » Aksidenti në Vlorë, ndalohet polici për presion
Aksidenti në Vlorë, ndalohet polici për presion

Aksidenti në Vlorë, ndalohet polici për presion

Një zyrtar i lartë i policisë në qytetin e Vlorës është ndaluar nga policia, pasi akuzohet se ka ushtruar presion ndaj një personi për të ndryshuar rrethanat e një aksidenti ku një i ri ka humbur jetën. Bëhet fjalë për ngjarjen e katër ditëve më parë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, kur një makinë ka rënë në një kanal të hapur në rrugë. Sipas policisë Shefi i Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor pranë policisë së Vlorës, ka ushtruar presion ndaj drejtuesit të mjetit, edhe ky i plagosur, për ta bindur këtë të fundit se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit. Gjithnjë sipas policisë mendohet që presioni i zyrtarit të policisë favorizonte firmën e ndërtimit të rrugës e cila nuk kish marrë masat e duhura për të vendosur sinjalistikën e nevojshme gjatë punimeve.
Ngjarja e Ujit të Ftohtë prej disa ditësh është në qendër të vemendjes së opinionit pasi ka rikthyer edhe një herë problemet e sinjalistikës së dobët në rrugët e Shqipërisë, si dhe standartet e ulta gjatë ndërtimit dhe riparimit të tyre. Në vemendje janë sjellë disa ngjarje të dhimbshme të kohëve të fundit ku persona të ndryshëm, kryesisht të rinj, kanë humbur jetën. Policia ka shfytëzuar rastin edhe një here që tu bëjë thirrje firmave të ndërtimi të rrugëve të zbatojnë ligjin, por edhe drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.