KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Akte terroriste në Paris
Akt terrorist në Paris

Akte terroriste në Paris

Akte  terroriste kanë tronditur kryeqytetin francez Paris mbrëmjen e së premtes.
4 sulme të koordinuara në zemër të qytetit, kanë lënë të paktën 60 të vdekur, njoftojnë burime të ndryshme informacioni. Sipas tyre të shtëna ka patur brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”. Ato janë shoqëruar nga dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Të shtëna  ka patur edhe në qendrën e arteve “Paris Bataclan”, ku terroristët thuhet se po mbajnë edhe 100 pengje.
Deri më tani mësohet për rreth 11 të vdekur në restorantin e parë, shumë pranë vendit ku ndodhën të shtënat e “Charlie Hebdo” në janar të këtij viti, si dhe 15 të vdekur në teatrin në fjalë, sipas policisë. Një person brenda teatrit tha për një radio franceze se terroristi kishte bërtitur “Allah Akbar” përpara se të hapte zjarr.
Nga raportimet e fundit thuhet se edhe Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore France-Gjermani, është larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij.
Një gazetar i BBC-së i ndodhur pranë restorantit ka bërë të ditur se mbi 10 trupa janë parë të shtrirë përtokë, por ende nuk konfirmon nëse janë të vdekur apo të plagosur rëndë. Sipas tij policia ka mbërritur me urgjencë në vendngjarje. Dëshmitarët pranë zonës kanë thënë se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.