KRYEFAQJA » LAJME » Aleksander Čeferin është zgjedhur president i UEFA-s
Aleksander Čeferin është zgjedhur president i UEFA-s

Aleksander Čeferin është zgjedhur president i UEFA-s

Aleksander Čeferin u zgjodh sot president i shtatë i UEFA-s. Në Kongresin e 12-të të Jashtëzakonshëm të Konfederatës Europiane të Futbollit që zhvilloi punimet në Grand Resort Lagonissi Hotel në Athinë, kandidati slloven, Čeferin, është zgjedhur me 42 vota nga 55 krerët e federatave bija të UEFA-s.

Pasi u zyrtarizua rezultati i zgjedhjes, Čeferin ka shprehur fjalët e para si president i sapozgjedhur i UEFA-s. “Faleminderit për mbështetjen tuaj fantastike, për mua kjo detyrë do të thotë shumë dhe është një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe në të njëjtën kohë. Familja ime është shumë krenare, ashtu si Sllovenia ime shumë e bukur. Shpresoj që një ditë edhe ju të jeni krenarë për mua”.

Gjatë paraqitjes së programit të tij, Čeferin ndër të tjera tha: “Një nga vendimet e mia të para bën fjalë për cakun e mandateve. Nuk mund të jesh president i UEFA-s apo anëtar i Komitetit Ekzekutiv për 20 vjet, nuk është e mundur. Nuk qëndrohet kaq gjatë, fillon të mendosh se je pronari i institucionit dhe e ndjen veten mbret”.

Aleksander Čeferin ka lindur në Lubjanë, Slloveni, me 13 tetor 1967. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Lubjanë, ka punuar në studion ligjore të familjes së tij dhe është specializuar në përfaqësimin e atletëve profesionistë dhe shoqërive sportive.

Ka hyrë zyrtarisht në botën e futbollit në vitin 2005 duke punuar si drejtues i KMN Svea Lesna Litija, një nga skuadrat sllovene me suks më të madh. Nga viti 2005, anëtar i Komitetit Ekzekutiv i skuadrës jo profesioniste FC Ljubljana Lawyers, ka punuar edhe te NK Olimpia e Lubianës nga viti 2006 deri në vitin 2011.

Čeferin është i martuar dhe ka tre fëmijë, flet rrjedhshëm anglisht dhe italisht dhe është zgjedhur president i Federatës Sllovene të Futbollit (NZS) në vitin 2011. Ai ka qënë edhe zëvendëspresident i dytë dhe i tretë i Komitetit Ligjor të UEFA-s nga viti 2011.