KRYEFAQJA » LAJME » Alexandra Papadopoulou shefe e EULEX-it
Alexandra-Papadopoulou-650x358

Alexandra Papadopoulou shefe e EULEX-it

Diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, është zgjedhur shefe e re e Misionit EULEX në Kosovë. Njoftimi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Këshillit Evropian. Ajo detyrën e re do ta marrë më 1 shtator të këtij viti dhe zëvendëson shefin e deritashëm Gabriele Meucci, i cili drejton EULEX-in që nga 15 tetori i viti 2014. Me detyrë në Prishtinë ajo nuk është për herë të parë. Diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, nga viti 2000 deri në vitin 2001 ka qenë shefe e Zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë. Aleksandra Papadopulu ka një karrierë të gjatë diplomatike. Në CV-në e saj, të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, bëhet e ditur se ajo është 59 vjeçe, ka mbaruar studimet në fushën e Drejtësisë dhe Shkencave Politike në Universitetin e Athinës dhe se ka bërë studimet master në fushën e Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Pennsylvania në Shtetet e Bashkuara si bursiste e fondacionit Fulbrght. Gjatë karrierës së saj diplomatike ka qenë ambasadore në shumë vende, së fundi në Bashkimin Evropian dhe më pas në Uruguai dhe Paraguai. Ajo ka qenë edhe ambasadore në Zyrën Diplomatike të Greqisë në Maqedoni. Aleksandra Papadopulu njihet si eksperte e zhvillimeve politike në rajon dhe njohëse e shkëlqyer e historisë së Ballkanit, sidomos të raporteve greko-shqiptare. Misioni EULEX në krye të së cilit është vënë diplomatja greke, Aleksandra Papadopulu, ndihmon autoritet dhe institucionet e Kosovës në fushën e forcimit të ligjit në vend, në mënyrë specifike në polici, drejtësi dhe dogana. Euleksi vepron në Kosovë që nga viti 2008 dhe ka mandat qëndrimi në Kosovë deri më 14 qershor të vitit 2018.