KRYEFAQJA » LAJME » Ambasada amerikane deputetëve: Ja draftkushtetuta! Miratojeni!
Tiranë: Negociatorët në përpjekje për konsensus

Ambasada amerikane deputetëve: Ja draftkushtetuta! Miratojeni!

Ndërsa palët politike në Shqipëri janë ende në kërkim të gjetjes së konsensusit për Reformën në Drejtësi , në tavolinën e çdo deputeti të enjten mbërriti si material paraprak, draft kushtetuta me ndryshimet e reja. Iniciativa ishte e ambasadës së SHBA-ve. Në kopertinen e botimit që mban firmën e SHBA, krahas grafikës së ngjashme me logot zyrtare të qeverisë, renditen edhe logot e përfaqësive diplomatike, Bashkimit Europian, EURALIUS, Komisionit të Venecias dhe OSBE. Ndërsa faqja e fundit mban bashkë me logon edhe flamurin e Shteteve të Bashkura të Amerikës, me mbishkrimin se ky botim u mundësua nga Ambasada e SHBA-së dhe Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara (OPDAT)
Ambasada amerikane është treguar e kujdesshme madje të theksojë që në faqe të parë se dokumenti nuk është një botim zyrtar i Republikës së Shqipërisë , dhe si i tillë nuk konfirmon ndonjë të drejtë e nuk parashikon as ndonjë detyrim. Gjithashtu në dokumentin në fjalë nënvizohet se SHBA, të cilat kanë firmën e këtij botimi, nuk marrin përsipër asnjë përgjegjësi ligjore për gabimet në te. Sidoqoftë, në rast të gjetjes se dakortësisë politike, për çështjen e vendeve të rezervuara dhe reflektimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, kjo është draft kushtetuta që parlamenti shqiptar duhet të miratojë më 21 korrik.
Veç qëllimit të deklaruar, për informimin e publikut shqiptar rreth amendamenteve të mundshme të Kushtetutës së tyre, ambasada e SHBA duket se po përsërit edhe një thirrje tashmë të njohur, t’u rikujtojë ligjvënësve shqiptarë se secili prej tyre është njësoj përgjegjës për fatin e reformës. Në komentet e para pas këtij veprimi të ambasadës së SHBA, ai shihet si presion gjithnjë në rritje ndaj politikës shqiptare për të miratuar Reformën në Drejtësi.