KRYEFAQJA » LAJME » Ambasada e SHBA mirëpret dorëheqjen e Ndokës dhe arrestimin e Prengës
Rrezikohet konsensusi, ambasada amerikane: Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme!

Ambasada e SHBA mirëpret dorëheqjen e Ndokës dhe arrestimin e Prengës

Disa zhvillime të orëve të fundit brenda maxhorancës socialiste, dorëzimi i mandatit të deputetit nga Arben Ndoka, si dhe dhënia e autorizimit prokurorisë nga parlamenti për arrestimin e ish deputetit Armando Prenga, janë mirëpritur nga ambasada amerikane në Tiranë. “Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike” vlerësohet në reagimin zyrtar të Ambasadës së SHBA.
Prej disa kohësh ambasada amerikane dhe zyrtarë të saj, janë vënë në krye të përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta detyruar politikën shqiptare të përshpejtojë procesin e dekriminalizimit. Kjo ishte nga cështjet më të debatueshme mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë vecanërisht gjatë zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, kur u përmendën mjaftë emra. Ajo u risoll fuqishëm në prag të sesionit të ri parlamentar, falë edhe ngjarjes në Komisariatin e Kurbinit, ku u përfshi ish deputeti socialist Armando Prenga, tashmë i ndaluar nga policia. Opozita demokratike ka dorëzuar në parlament një projektligj për dekriminalizimin, por diskutimi dhe miratimi i tij është shtyrë. Kryeministri Edi Rama ka premtuar se me ose pa miratimin e opozitës, shumica do të miratojë ligjin që pengon përfshirjen në politikë dhe në administratë të personave më një të kaluar kriminale.