KRYEFAQJA » LAJME » Ambasadorët Lu dhe Vlahutin nisin takimet me grupet parlamentare
Mediat, propozimi i ri i ambasadorëve

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin nisin takimet me grupet parlamentare

Ambasadori i SHBA-së Donal Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, pritet të nisin të martën takimet me grupet parlamentare të partive kryesore, ndërsa janë momentet e fundit për finalizimin e Reformës në Drejtësi. Rreth orës 15 ata do të jenë në grupin parlamentar socialist, ndërsa në oren 17 në grupin e LSI. Të mërkurën në orën 10 ambasadorët do të jenë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.
Prania e diplomatëve të lartë në mbledhjet e grupeve parlamentare, pavarësisht se nga titullarët partiakë konsiderohet i mirëpritur, ka ngjallur komente dhe debate. Ish zyrtarë të lartë shqiptarë, ndër ta dhe ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, citohet nga mediat të ketë thënë në mbledhjen e grupit të saj parlamentar se “Ardhja e ambasadorëve për të na diktuar votën, shkel sovranitetin dhe përbën rast unik që ambasadorët thërrasin grupin e PD”.
Javën e kaluar në mbledhjen e komisionit të reformës në drejtësi, ambasadorja e BE Romana Vlahutin dhe ambasadori amerikan Donald Lu kanë qene gati ultimativë me deklaratat e tyre. “Kam një mesazh të thjeshtë: nëse kjo reformë dështon, ju anëtarët e këtij komisioni turpëroni veten para atyre që ju kanë zgjedhur dhe gjithashtu do të turpëroheni në marrëdhënien tuaj me SHBA dhe BE” tha ambasadori amerikan Donald Lu. Një ditë më parë maxhoranca dhe opozita bashkuan votat në komisionin e reformës në drejtësi, dhe miratuan në parim paketën kushtetuese, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi.