KRYEFAQJA » LAJME » Ambasadori Lu akuzon kryeprokurorin Llalla: Ka folur me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi
SHBA premton: Reforma në Drejtësi do të jetë e sukseshme pavarësish presioneve dhe frikësimit!

Ambasadori Lu akuzon kryeprokurorin Llalla: Ka folur me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, ka ndërmarrë të enjten sulmin më të ashpër që kur ka nisur debati për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Në fokus është vënë me emër të përveçëm Prokurori  i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili është akuzuar se është kundër kësaj reforme. Gjatë konferencës ndërkombëtare “Ne, populli, pjesëmarrja qytetare dhe demokracia e drejtpërdrejtë” mbajtur në Tiranë të enjten, zoti Lu tha se “Po shohim njerëz të fuqishëm që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatën dhe prokurorinë. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi” tha ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.  Arsyet që e kanë shtyrë ambasadorin amerikan të ndërmarri një sulm të tillë duket se ka qenë hedhja e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetua e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, te përzgjedhur sipas preferencës për të plotësuar 3 poste. Me këtë ai theu Kushtetutën”tha amabasadori Lu. Ndërkaq përmendja me emër e prokurorit të përgjithshëm, por edhe deklarata se “politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithëçka tjetër në ekonominë e vendit”,  të bën të mendosh se zoti Lu mund të shkojë më tej duke përmendur edhe emra të tjerë zyrtarësh apo edhe politikanësh shqiptarë.
Deklaratat e zotit Lu pritet të sjellin reagime, por edhe zhvillime të reja në politikën shqiptare. Ato do të ndikojë edhe në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare, proces që sapo ka nisur. Në to janë shfaqur disa figura mjaftë të debatueshme të drejtësisë shqiptare. Disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqjen, apo nuk kanë pranuar të jenë pjesë e procesit të vettingut.