KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Amnesty International, barra e refugjatëve të ndahet në baza të drejta mes vendeve

Amnesty International, barra e refugjatëve të ndahet në baza të drejta mes vendeve

Amnesty International ka akuzuar vendet e pasura se nuk po tregojnë aspak lidership në krizën e refugjatëve, sipas raportit vjetor të publikuar sot. 56% e refugjatëve po strehohen vetëm nga 10 vende, ndër më të varfërit në botë, përgjegjëse për më pak se 2.5% të prodhimit të brendshëm bruto në shkallë botërore. Raporti propozon se barra e strehimit të refugjatëve duhet ndarë në mënyrë të drejtë, sipas madhësisë së vendit, pasurisë dhe popullatës aktuale. Sipas raportit është koha që bota të kaloje në planin B për përballimin e 21 milionë refugjatëve në botë. Sipas të dhënave më të fundit të Agjensisë së Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia ose ndonjë nga shtetet e Gjirit nuk kanë strehuar refugjatë sirianë që prej fillimit të luftës. Amnesty thekson se Gjermania dhe Kanadaja janë shembuj të mirë të liderëve të cilët zbatojnë premtimet e tyre dhe nxisin vende të tjera të pasura të bëjnë të njëjtën gjë. Agjensia e refugjatëve të OKB-së deklaroi se numri i personave të zhvendosur në botë, ka gjasa të ketë kaluar rekordin e vitit të kaluar, plot 60 milionë, duke përfshirë 20 milionë refugjatë, të shpërngulur për shkak të luftës në Siri dhe konflikteve të tejzgjatura.