KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Anëtarët e Partisë Laburiste në Britani, plan për të detyruar Korbin të dorëhiqet me dinjitet
korbinm

Anëtarët e Partisë Laburiste në Britani, plan për të detyruar Korbin të dorëhiqet me dinjitet

Anëtarët e qeverisë britanike në hije po përgatisin një plan për ta detyruar Xheremi Korbin të heqë dorë nga drejtimi i partisë Laburiste. Sipas BBC, deputetët laburistë duan të ndërmjetësojnë një kompromis, i cili parshikon ruajtjen e disa politikave kyçe te liderit laburist nëse ai dorëhiqet. BBC gjithashtu ka mësuar se një delegacion i anëtarëve të qeverisë në hije u përpoq të takohej të enjten me Korbin për t’i paraqitur planin e tyre, por ata nuk patën sukses. Sipas këtij plani, pretendentët potencialë për drejtimin e partisë, do të bien dakord të ndjekin disa prej politikave kyçe të Korbin mbi çështje që kanë lidhje me pabarazinë dhe demokratizimin e partisë. Deputetët kanë krijuar një plan kalendarik për t’i mundësuar zotit Korbin një tërheqje me dinjitet nga drejtimi i partisë. Drejtimi i zotit Korbin është vënë në rrezik pas thirrjeve të shumta që laburistët i kanë drejtuar atij për t’u dorëhequr, pasi u akuzua se nuk bëri sa duhet në fushatën për ta mbajtur vendin brenda Bashkimit Europian. Një kërkesë për dorëheqje iu drejtua atij edhe nga lideri konservator, Dejvid Kameron, i cili njoftoi dorëheqjen e tij në datën 24 qershor. Por Korbin, gjithmonë është shprehur se nuk do ta tradhtonte besimin e anëtarëve të partisë që e zgjodhën vitin e shkuar në krye të saj.