KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Angela Merkel shpallet gruaja më e fuqishme e botës sipas “Forbes”

Angela Merkel shpallet gruaja më e fuqishme e botës sipas “Forbes”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është gruaja më e fuqishme në botë, sipas revistës “Forbes”, në listën e 100 grave më të fuqishme në botë. Në vendin e dytë të kësaj liste, renditet Hillary Clinton, ndërsa në të tretin Janet Yellen, presidentja e FED-it. Në 20 vendet e para ndodhet edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në të 19-tin. Lista vjetore, përfshin 100 femra nga 29 vende të ndryshme të botës. Mes tyre ka femra me ndikim nga fusha të politikës, biznesit, teknologjisë dhe filantropisë, përfshi 12 lidere botërore, 32 Shefe Ekzekutive dhe 11 miliardere, nëntë prej të cilave kanë financuar kompanitë e veta miliarda dollarëshe. Lista, e cila së pari ishte publikuar më 2004, përpilohet nga revista amerikane e biznesit “Forbes”. Në 10 vendet e para të grave më të fuqishme të botës ndodhet edhe drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde. Melinda Gates, bashkëshortja e miliarderit Bill Gates, ndodhet në vendin e katërt. Për Kinën ky ishte vit rekord, pasi nëntë femra kineze u përfshinë në 100-she. Kjo është hera e 11-ë që Merkel renditet si gruaja më e fuqishme në botë.