KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ankara, zyrtarët turq dënojnë fuqishëm sulmin terrorist në Francë
nice-lorry

Ankara, zyrtarët turq dënojnë fuqishëm sulmin terrorist në Francë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, dënoi përmes një deklarate zyrtare sulmin çnjerëzor gjatë festimeve me rastin e Ditës Kombëtare të Francës, në qytetin jugor të Nisës. “Si një vend i rrahur shumë herë nga sulmet terroriste, i kuptojmë shumë mirë ndjenjat e shtetit dhe popullit francez. Ky akt barbar shpalos edhe një tjetër herë domosdoshmërinë për të luftuar me vendosmëri dhe qëndrueshmëri kundër terrorizmit”, thuhet në deklaratën e liderit turk. Duke theksuar se terrorizmi nuk ka as fe, as racë dhe as komb, Presidenti Erdogan vijoi me fjalët: “As autorët e këtij akti brutal nuk kanë lidhje me njerëzimin. Në thelb, këta barbarë nuk kanë dhe s’duhet të ketë vend në këtë botë”. Kreu i shtetit turk vuri në pah se të gjithë ata, që demonstrojnë qëndrime të pavendosura dhe hezitojnë kundër terrorizmit, duhet të nxjerrin mësimet e nevojshme dhe të mësojnë shumë nga ky sulm i fundit, që kishte në shënjestër Francën. Edhe Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka dënuar sulmin terrorist në qytetin Nisë të Francës përmes një mesazhi në gjuhën frënge. “Terrori është një krim kundër njerëzimit; askush nuk mund ta dijë se ku, kur dhe kë do të godasë përsëri terrorizmi”, shkruan Yildirim në një postim në “Twitter”. Zv/kryeministri Numan Kurtulmus gjithashtu e dënoi ashpër këtë masakër monstruoze dhe shprehu solidaritet me dhimbjen e popullit francez. Ndërsa zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, theksoi përmes një mesazhi se barbarët modernë, që kanë realizuar këtë sulm të poshtër, nuk kanë dhe s’kanë sesi të kenë lidhje me njerëzimin dhe besimin fetar. Përmes llogarisë së tij zyrtare në “Twitter”, sulmin në Nisë e ka dënuar edhe ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili shprehu ngushëllime për të afërmit e viktimave të masakrës, për popullin francez dhe për Parisin zyrtar. Omer Çelik, ministri turk për Çështjet e BE-së dhe shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin, ishte nga të parët zyrtarë që reaguan ndaj sulmit terrorist në Nisë. “Terrori është gjithmonë brutal, kudo apo në çfarëdo forme dhe me çfarëdo motivi ai sulmon njerëzimin. Ne të gjithë duhet të bashkohemi kundër tij”, tha Çelik përmes një deklarate në “Twitter”.