KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Anullohet ndërtimi i një HEC-i mbi kanionet e Nivicës

Anullohet ndërtimi i një HEC-i mbi kanionet e Nivicës

Hidrocentali Driza 1, i parashikuar për t’u ngritur në pellgun ujëmbledhës të përrenjve të Nivicës dhe Gusmarit, në Bashkinë e Tepelenës, nuk do të realizohet. Lajmi u bë i ditur në komisionin parlamentar të medias nga deputeti socialist Fatmir Toçi. Më parë në këtë komision ligjevensit kishin shprehur shqetësim maksimal për lejet e dhëna në këtë zonë veçanërisht për HEC-e.
Kanionet Nivicës ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të rrethit të Tepelenës. Kanë gjatësi deri në disa kilometra, gjerësi mesatare rreth 15 m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetëra metra. Janë formuar nga erozioni i përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bënçës, në shkëmbinjtë gëlqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar. Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka edhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dyja anët e tyre, i bëjnë ata mjaftë tërheqës dhe me vlera të mësha turistike. Për të shkuar tek këto kanione duhet të ndjekësh rrugën automobilistike Tepelenë-Progonat-Nivicë.