KRYEFAQJA » LAJME » AP: “Kur do të ketë Shqipëria një minimum jetik të deklaruar?”
AP:“Kur do të ketë Shqipëria një minimum jetik të deklaruar”

AP: “Kur do të ketë Shqipëria një minimum jetik të deklaruar?”

Avokati i Popullit Igli Totozani i ka kërkuar qeverisë shqiptare të llogarisi, publikojë dhe zbatojë minimumin jetik në Shqipëri. Kërkesën e tij ai e bëri publike gjatë dëgjesës “Kur do të ketë Shqipëria një minimum jetik të deklaruar” organizuar me mbështetjen e OSBE-së dhe Mbretërisë së Danimarkës. “Minimumi jetik, nuk është vetëm një tregues që lidhet me nevojat që ka njeriu për të siguruar mbijetesën në kushtet aktuale, por bazuar në këtë minimum, përcaktohen edhe nivelet e përfitimeve në skemat e mbrojtjes shoqërore: të pensioneve të pleqërisë, të pagesës së aftësisë së kufizuar, të ndihmës ekonomike, të pagës minimale në shkallë vendi” tha zoti Totozani.
Dy dekada e gjysëm pas përmbysjes së sistemit komunist, në Shqipëri ende qeveritë e kësaj periudhe nuk kanë përllogaritur nivelin e minimumit jetik. Sipas INSTAT aktualisht në Shqipëri llogaritet vetëm niveli i varfërisë. “Një individ cilësohet i varfër nëse shpenzimet mesatare mujore për frymë të tij janë nën 4891 lekë. Ky është kufiri që përdoret për llogaritjen e varfërisë” tha një zyrtare e këtij institucioni.
Ndërkaq niveli i varfërisë në Shqipëri është mjaftë i lartë. Sipas BB numri i personave që jetojnë në varfëri ekstreme në Shqipëri u rrit tri herë brenda periudhës 2008-2012, për shkak të krizës ekonomike që preku Shqipërinë, por edhe gjithë botën. Gjithnjë sipas BB, Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon. Sipas shifrave të BB-së, në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 0.4% e popullsisë ose 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërceu në 30 mijë e 900 vetë, duke zënë 1.1 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Problemet e varfërisë vazhdojnë të mbeten edhe temë e nxehtë e politikës. Qeveria e kryeministrit Rama deklaron se po mundohet ta luftojë këtë fenomen, por opozita nga ana e saj thotë se varfëria në vend është rritur.