KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Apo rikthehet konkurrenca shtet – privat?
Rikthehet konkurrenca shtet - privat

Apo rikthehet konkurrenca shtet – privat?

Bashkia e Tiranës po shikon mundësinë e ngritjes së një kompanie publike për transportin urban brenda qytetit. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i bashkisë Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës ditën e hënë. “Po mendojmë për themelimin e një kompanie publike të Bashkisë së Tiranës në transportin publik që ashtu siç po i sfidojmë operatorët privatë me një kompani publike të bashkisë që do të fillojë muajin tjetër dhe ndërmarrje tonën për pastrimin, ashtu po konsiderojmë fillimin e punës për një ndërmarrje të trasportit për t’u siguruar që nuk merremi peng nga privatë që nuk dinë të menaxhojnë interesin publik që iu është besuar”.
Deklarata e fortë e zotit Veliaj, por edhe zhvillimet e fundit, sjellin në vëmendje disa çështje shpesh të debatueshme gjatë viteve të tranzicionit, problemeve të privatizimit si dhe konkurrencës  shtet – privat. Pas viteve ’90 ekonomia shqiptare, por edhe sektorë të ndryshëm të shërbimeve, dikur të centalizuar, ju nënshtruan procesit të privatizmit. Shteti hoqi dorë nga shume degë kyçe të ekonomisë duke i lënë në dorë të privatëve dhe po kështu ndodhi edhe me shumë shërbime. Operatorët privatë kanë dominuar në të gjitha drejtimet duke ecur përpara nëpërmjet konkurrencës. Por në shumë raste është vënë re edhe krijimi i monopoleve apo arritja e marrëveshjeve të tipit kartel. Këto zhvillime kanë ndikuar për keq tek konsumatorët. Një prej tyre ka qenë edhe transporti urban qytetas. Veçanërisht në Tiranë ai ka qenë dhe mbetet problematik. Pak muaj më parë shoqëritë e transportit urban të Tiranës ngritën me 30 përqind çmimet e biletave, por shërbimet lenë akoma për të dëshëruar. Ngritja e një kompanie publike për transportin urban brenda qytetit, ka shumë mundësi të ringjalli konkurrencën shtet-privat dhe shpresën se ky lloj transporti mund të vihet më mirë në shërbim të publikut.