KRYEFAQJA » LAJME » Arkipeshkvi i ri Frendo: I lutem Zotit të më bëjë të fortë dhe të drejtë për të shërbyer në këtë detyrë
Imzot George Fredo, arkipeshkvi i ri i dioqezës së Tiranës dhe Durrësit

Arkipeshkvi i ri Frendo: I lutem Zotit të më bëjë të fortë dhe të drejtë për të shërbyer në këtë detyrë

Administratori i deritanishëm i dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, do të jetë arkipeshkvi i ri i saj. Ai pason në këtë detyrë imzot Rrok Mirditën i cili një vit më parë u nda nga jeta. Emërimi i imzot Frendos është bërë nga Shenjtëria e Tij Papa Françesku, ndërsa lajmi u dha në mesditë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë në praninë e meshtarëve, motrave dhe besimtarëve katolikë që gjendeshin në Katedrale. “U desh të kalonin më shumë se 11 muaj për të gjetur një ipeshkv të ri. Premtoj se do jem një epror i mirë sepse jam i sinqertë. Këto muaj nuk kanë qenë të lehta, madje nuk ishte as e lehtë të merrja vendimin për të pranuar detyrën e re. I lutem Zotit të më bëjë të fortë dhe të drejtë për të shërbyer në këtë detyrë. Faleminderit për respektin që keni treguar ndaj meje në këto vite. Do ndjekim të mirat e rrugës që shtroi imzot Rrok Mirdita” premtoi arkipeshkvi i ri.

Imzot George Frendo me origjinë nga Malta, shërben prej 18 vitesh në Shqipëri, është një njohës mjaft i mirë i kulturës dhe gjuhës shqipe, kushte këto të domosdoshme për përzgjedhjen e tij në krye të Kishës Katolike Shqipare. Ai ka qenë edhe ndër kujdesuesit dhe përkthyesit e disa teksteve liturgjikë në gjuhën shqipe e në mënyrë të veçantë i mesharit të ri shqip.