KRYEFAQJA » LAJME » Armando Sadiku drejt Azerbajxhanit?
sadiku

Armando Sadiku drejt Azerbajxhanit?

Është përfolur për një numër destinacionesh të mundshme, që nga ai çasti kur hyri në histori me golin e shënuar ndaj Rumanisë, por deri më tani asgjë nuk është konkretizuar. Dhe mesa duket, destinacioni i tij i ardhshëm do të jetë skaji më lindor i Evropës, pasi Armando Sadiku mund t’i bashkohet Ansi Agollit në radhët e Karabakut. Kjo është ajo që raportojnë mediat azerbajxhanase, e më saktësisht faqja në Internet, “rekord.az”, sipas të cilës, ka qenë mbrojtësi i përfaqësueses ai që i ka bërë propozimin trajnerit Kurbanov që të afrojë sulmuesin shqiptar. Karabaku aktualisht është në Ligën e Kampioneve dhe nëse kalon këtë tur përballë çekëve të Viktorias së Plzenjit, do të ketë të siguruar minimalisht pjesëmarrjen në fazën në grupe të Ligës së Evropës. Për këtë arsye, klubi azer po vëzhgon lojtarë të afirmuar në mënyrë që të bëhet një paraqitje sa më e mirë në Evropë. Midis këtyre alternativave është edhe Sadiku, i cili kërkon të largohet nga Zyrihu, sepse nuk dëshiron të luajë në kategorinë e dytë zvicerane. Problem mbetet çmimi që i ka vënë Zyrihu, por klubi azerbajxhanas ka një buxhet relativisht të lartë dhe mund të bëjë sakrifica të rëndësishme ekonomike nëse mendon se futbollisti është i vlefshëm.