KRYEFAQJA » LAJME » Komisariati i policisë nr. 3, sërisht arratiset një i ndaluar nga policia
Arratiset një i ndaluar nga policia

Komisariati i policisë nr. 3, sërisht arratiset një i ndaluar nga policia

Një i ndaluar nga policia si i kërkuar nga drejtësia italiane për akuzën “Vjedhje me armë e organizuar në grup kriminal”, është arratisur sot nga ambjentet e komisariatit numër 3 në Tiranë, njoftuan burime të policisë shqiptare. 26 vjeçari Bledar Zefi, ishte arrestuar po sot nga efektivët e komisariatit nr. 3 në Tiranë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar. Burime të policisë bëjnë të ditur se i ndaluari është larguar pë pakujdesi të policëve. Ai ka shtyrë një prej policëve që e ruante dhe është larguar. Dy prej efektivave janë ndaluar.  Forcat policore janë organizuar në një operacion për kapjen e Zefit.

Ky nuk është rasti i parë që të paraburgosur janë arratisur nga Komisariati i Policisë nr. 3. Ngjarje të tilla kanë shtuar dyshimet për pasigurine e tyre fizike, por edhe kompromentimin e punonjësve të policisë. Në fillim të këtij viti tërhoqi vemendje largimi spektakolar i Stresit, një këngëtar i muzikës rep dhe hip-hop, i cili ishte shoqëruar në ambientet e të njëjtit rajoni policie në Tiranë. Arratisja e tij u shoqërua me pezullimin e 9 efektivave të policisë, tre prej të cilëve u vunë pas hekurave.