KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohen 11 persona në Skrapar për kultivim të bimëve narkotike

Arrestohen 11 persona në Skrapar për kultivim të bimëve narkotike

11 persona nga qytete të ndryshme të vendit janë arrestuar nga policia  pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin u kapën  duke kultivuar bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa në parcela të ndryshme në Skrapar. Operacioni u zhvillua në fshatin  Dobrenjë ku policia ka mundur të zbulojë jo vetëm parcela  të mbjella me lëndën narkotike por edhe armë. Ajo që bie në sy është se nga 11 të arrestuarit asnjëri prej tyre nuk është nga zona ku ishin mbjellë parcelat, por në bazë të informacioneve të marra policia mësoi se shtetas nga Tirana, Fieri, Saranda e  Tepelena bashkëpunonin me njëri-tjetrin në këtë aktivitet kriminal. Rrjeti ishte I mirëorganizuar pasi me armë dhe me orare të mirëpërcaktuara ruanin parcelat ku pas ndërhyrjes së policisë u konstatuan dhe më pas u asgjesuan 14600 rrënjë bimë narkotike Kanabis Sativa. Gjatë kontrollit të ushtrua në kasollet e ngritura në këto parcela u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 140 kg lëndë narkotike marijuanë, si dhe dy armë zjarri të lojit automatik, AK-47. Aksione për evidentimin dhe asgjesimin e parcelave të mbjella me kanabis janë zhvilluar nga Policia e Shtetit edhe në qytete të tjera të vendit, përkatësisht në Tepelenë janë sgjesuar me djegie 700 rrënjë bimë narkotike dhe në puke 2400 të tilla.