KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohet Drejtori i Tatimeve në Shkodër, favorizoi nipin biznesmen
hysaj

Arrestohet Drejtori i Tatimeve në Shkodër, favorizoi nipin biznesmen

Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e Drejtorin Rajonal të Tatimeve, Hysen Hysaj, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Urdhëri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të Policisë Vendore të Shkodrës. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H, i cili është djali i motrës së drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së. Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Në rastin konkret, shoqëria “H…”shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.