KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohet Frroku, i dënuar për vrasjen e komisarit
Arrestohet Frroku, i dënuar për vrasjen e komisarit

Arrestohet Frroku, i dënuar për vrasjen e komisarit

Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një ish-shefi të komisariatit të policisë më 24 shkurt të vitit 2013, është arrestuar nga policia hollandeze, njoftojnë burime  zyrtare. Sipas tyre Frroku ishte ndaluar disa ditë më parë me një identitet të rremë, por arrestimi i tij është kryer vetëm të enjten. Tashmë po  kryhen procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
Arben Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në qershor 2015 që e dënonte atë me burgim të përjetshëm. Më parë ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në një proces të debatueshëm dhe vendimi ishte dhënë në prill të vitit 2015. Menjëhere sapo ishte liruar nga paraburgimi, Arben Frroku ishte larguar në mënyrë të fshehtë nga Shqipëria. Largimi provokoi polemika të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzoi krerët e qeverisë se ishin implikuar në këtë ngjarje. Arben Frroku është vëllai i ish deputetit të maxhorancës Mark Frroku, i cili gjendet i arrestuar nga policia i akuzuar për një vrasje në Holandë në vitin 1999, vrasje të cilën ai e ka hedhur poshtë.
Këto zhvillime dhe disa të tjera sollën ashpërsimin e polemikave në politikën shqiptare, duke shtuar akuzat reciproke për kriminalizimin e saj. Opozita e djathtë akuzoi maxhorancën e majtë se kishte ardhur në pushtet me ndihmën e krimit dhe nisi fushatën për nevojën e dekriminalizimit. Maxhoranca ndërsa hodhi poshtë akuzat, pranoi sfidën e hartimit të një ligji të posaçëm. Debati ka qenë mjaftë i ashpër madje në momente të caktuara është kërkuar edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Gjithshka ka precipituar tashmë tek reforma në drejtësinë shqiptare, për të cilën palët akuzojnë njëra-tjetrën se po minojnë procesin. Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje pë miratimin e kësaj reforme si kushti kryesor për integrimin e vendit.