KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohet kryebashkiaku i dorëhequr i Kavajës Elvis Roshi
Rroshi kalon në "arrest shtëpie"

Arrestohet kryebashkiaku i dorëhequr i Kavajës Elvis Roshi

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi është arrestuar nga policia pasditen e së hënës në Kavajë, bëhet e ditur nga burimet policore. Arrestimi i tij është bërë me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj Rroshit rëndon akuza e konsumimit të veprës penale “Fallsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Sipas prokurorisë “Nga hetimet e deritanishme …rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Kampobaso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit” bën të ditur prokuroria. Ajo ka zbuluar gjithshtu se Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Evropës.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar vetë Rroshi nëpërmjet Fejsbukut. “E mirëpres ballafaqimin me drejtësinë e Sali Berishës dhe do të provoj gjithë pafajësinë time për këtë poshtersi” shkruan ai. Sipas ish kryebashkiakut të Kavajës “Prokuroria nuk ka provuar asgje pervec atyre qe kam deklaruar vete”. “E sigurtë është që Kavajën Sali Berisha nuk ka për ta marrë më edhe sikur shtatë pashë nën dhe të më fusin mashat e tij” përfundon Elvis Rroshi reagimin e tij në Fejsbuk.