KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohet nga policia e Durrësit një 23-vjecar pas një konflikti pronësie
arrestohet ne durres nje 23-vjecar pas nje konflikti pronesie

Arrestohet nga policia e Durrësit një 23-vjecar pas një konflikti pronësie

Një 23- vjeçar është vënë në pranga nga policia e Durrësit pasi nga kontrollet e ushtruara pranë banesës së tij, është gjetur një arsenal armësh. I riu nga fshati Manskuri i Durrësit, mësohet se për shkak të një konflikti pronësie ka kërcënuar me pushkë një 50 – vjeçar. Nisur nga kjo ngjarje policia ka kontrolluar një zonë të pyllëzuar pranë banesës së tij, duke gjetur dhe sekuestruar një pushkë Karabinë 20 – she, një automatik model 56, rreth 300 fishekë dhe sende të tjera të ftohta. Mbi 23 – vjeçarin rëndon akuza e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Ky nuk është një rast i veçuar kur policia ndalon shtetas të armatosur. Ditët e fundit ka patur njoftime të shumta nga policia sipas së cilës shtetas të ndryshëm janë ndaluar me arsenal armësh, municionesh dhe lëndë eksplozive. Ende nuk është e qartë nëse këto armatime janë mbeturina nga koha e trazirave sociale të 1997, apo janë përdorur ose synojnë të përdoren në aktivitete kriminale.