KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohet polici, tentoi të devijojë hetimet për aksidentin e Vlorës

Arrestohet polici, tentoi të devijojë hetimet për aksidentin e Vlorës

Hetimi për shkaqet e aksidentit në “Ujin e Ftohtë” ku humbi jetën 17 vjeçari Kristo Panajoti ka marrë një tjetër rrjedh pas dyshimeve se eksperti i policisë në Vlorë ka tentuar të devijojë shkaqet e aksidentit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar në orët e para të ditës së sotme shefin e Seksionit për Hetimin e Ngjarjeve të Qarkullimit Rrugor, 55-vjeçarin Myslym Ismailaj. Ky person, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ), ka kryer veprimet proceduriale lidhur me aksidentin e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të Ftohtë, në Vlorë, ku humbi jetën shtetasi K.P. dhe ngeli i plagosur shtetasi P.B. Sipas hetimeve, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident, dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit. Ai ka ushtruar presion ndaj të riut duke synuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.

Po sot gjykata vendosi që drejtuesi i mjetit BMW X6 që ra në gropën e hapur për punimet e Lungomares të qëndrojë në arrest shtëpie. Petraq Beja ishte arrestuar nga policia menjëherë pas aksidentit që i kushtoi jetën kushëririt të tij 17 -vjeçar dhe vendimin për ta mbajtur në arrest shtëpie me mbikqyrje elektronike e mori sot Gjykata e Vlorës.

Arrest me burg është kërkuar nga prokurori i çështjes Laurent Fuçia, për Ilirian Tahmazin, me detyrë përgjegjës i sigurimit teknik dhe Tomorr Cenën, me detyrë inxhinier zbatues i projektit. Mbi Tahmazin dhe Cenën rëndon akuza e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, pasi nuk morën masat për “gropën e vdekjes” në Vlorë, që i mori jetën 17- vjeçarit.