KRYEFAQJA » LAJME » Arrihet marrëveshja në Maqedoni
maq

Arrihet marrëveshja në Maqedoni

Partitë politike në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike e cila parasheh modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore, reformat në media dhe kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme. 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ketë qeveri teknike, dhe njëkohësisht do të tërhiqet ligji i ri për Ministrinë e Brendshme. Ligji për punë të brendshme do të anulohet deri më 1 janar të vitit 2017 kurse ministri i ri i emëruar nga opozita do të ketë mundësi të ndryshojë vetëm 15 eprorë nga pozitat udhëheqëse të policisë. “Kemi një lajm të mirë për të shpalosur, partitë arritën marrëveshje për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Përzhinës. Ne shpresojmë se kjo Marrëveshje do ta shtrojë rrugën për zgjedhje të besueshme, në të cilat do të marrin pjesë të gjithë, dhe do të njihen nga të gjitha palët. Marrëveshja që arritën katër partitë përfshin pastrimin e listës zgjedhore, hapa për sigurimin e një raportimi të balancuar, marrëveshje për qeverinë që do të formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve sidomos Ministrinë e Brendshme”, ka deklaruar ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli, i cili së bashku me ambasadorin e BE-së, Aivo Orav kanë ndërmjetësuar bisedimet që kanë zgjatur një kohë të gjatë. Sa i përket punës së prokurorisë speciale, e cila po heton atë që njihet si aferë e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën politike, marrëveshja parasheh që në rast se gjykata kushtetuese e shpall antikushtetues ligjin për prokurorinë speciale, apo ndonjë pjesë të tij, partitë do të duhet të bëjnë ndryshime ligjore për ta mundësuar funksionim e punës së saj pa pengesa. Data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, por sipas informacioneve të fundit, ato mund të mbahen më 11 dhjetor, pas një takimi të liderëve të partive që paralajmërohet për 31 gusht. Nga opozita janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur me shpresën se ajo do të zbatohet për ti hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve.