KRYEFAQJA » LAJME » Arrihet marrëveshja për Reformën në Drejtësi
Ligjet e “Drejtesisë” votohen në 22 Shtator

Arrihet marrëveshja për Reformën në Drejtësi

Pas disa orësh bisedimesh intensive mes PS, PD, LSI dhe ndërkombëtarëve, u lajmërua se është arritur konsensusin për Reformën në Drejtësi. Marrëveshja parashikon që formula e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të tjera të drejtësisë është e njëjtë me atë të vetingut. Sipas  saj,  5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati për tu zgjedhur duhet të marri të paktën  4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short.

Kreu i parlamentit Ilir Meta i cili ishte i pari që lajmëroi arritjen e marrëveshjes, falënderoi kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës Basha dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Zoti Meta tha se marrëveshja është shenjë pjekurie dhe tha se pret ta formalizojë atë përfundimisht me vota unanime në Parlament. Kreu i qeverisë Edi Rama nga ana e e tij në fejsbuk ka shprehur mirënjohjen për SHBA dhe BE, përfaqësuesit e të cilëve treguan një këmbëngulje shembullore.

Tashmë priten disa formalitete në komisionin parlamentar të Reformës në Drejtësi dhe më pas gjithçka do të shkojë në seancë plenare e cila parashikohet të fillojë në orën 21.