KRYEFAQJA » LAJME » ARRSH: Nuk ka abuzime në rrugën e Linit
ARRSH: Nuk ka abuzime në rrugën e Linit

ARRSH: Nuk ka abuzime në rrugën e Linit

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar të premten pas deklaratave të ish kryeministrit Berisha, për abuzime me miliona dollarë me tenderin e rrugës Lin-Pogradec. “Për një rrugë të Edi Ramës, e gjatë 930 metra në fshatin Lin, shpenzohen për ndërtim 9.9 milionë dollarë, në një kohë kur e gjithë rruga nga Lini në Pogradec është prokuruar me 21 milionë dollarë” tha zoti Berisha për mediat menjëherë pas seancës plenare të së enjtes.
Por nëndrejtori ARRSH Afrim Qendro tha të premten për mediat se “nuk kemi të bëjmë me një rrugë normale në këtë segment”. “Në 1 kilometër kemi 300 metra tunel të hapur të ndarë në 4 pjesë. Kjo shpjegon shifrën dhe arsyen pse vlera e kësaj rruge është 9,7 mld lekë të vjetra” tha zoti Qendro. Ai shtoi se në këtë segment ka një trotuar 3, 5 metra, gjerbërim të lartë dhe ndriçim, ka 2 monumente historike që sipas UNESCO-s ruhen bashkë edhe me vijën e liqenit të Ohrit. Më tej zoti Qendro tha se rruga ka kosto shumë të lirë në mirëmbajtje dhe ruajtjen e mjedisit. Nëndrejtori ARRSH Afrim Qendro nënvizoi se preventivat e këtij projekti janë bërë në bazë të manualit shtetëror të çmimeve.”Akuzat e PD për vlerë të lartë të këtij projekti nuk qëndrojnë, krahasuar me rrugët e tjera ndërtuar më parë” këmbënguli ai. Në 2014 ndërtimi i këtij segmenti, u ndërpre, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj firmës ndërtuese. Puna rifilloi pas garancise se qeverisë për të marrë përsiper dhe shlyer detyrimet e akumuluara. Rruga Lin- Pogradec pritet të përfundojë në janar të 2018.